https://www.facebook.com/photo/?fbid=1145589274267726&set=pcb.1145593234267330&locale=sq_AL
Shoqata Kombëtare e Bashkive të Shqipërisë përshëndet ngritjen e Akademisë për Qeverisjen Vendore – një nismë që vjen si rezultat i një vullneti të përbashkët mes Qeverisë, njësive të vetëqeverisjes vendore dhe partnerëve të shumtë, si dhe si përgjigje ndaj një kërkese të kahershme të bashkive dhe këshillave të qarqeve.
Shoqata jonë ka qenë një aktor kyç në këtë proces, duke kontribuar në hartimin e politikave, përfaqësimin e interesave të bashkive dhe lehtësimin e dialogut mes palëve të përfshira. Përmes angazhimit të saj të vazhdueshëm, Shoqata ka ndihmuar në identifikimin e nevojave reale të njësive të vetëqeverisjes vendore dhe ka promovuar zgjidhje të qëndrueshme për zhvillimin profesional të zyrtarëve vendorë.
Një falënderim i veçantë shkon për Ministër i Shtetit për Pushtetin Vendor, Agjencinë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore (AMVV), si dhe të gjithë partnerëve të tjerë lokalë që kanë kontribuar në këtë arritje të rëndësishme, ku do të veçonim Qeverinë Zvicerane dhe Qeverinë Suedeze, të cilat përmes projektit Bashki të Forta – Helvetas, kanë ofruar mbështetje të vyer teknike dhe ekspertizë ndërkombëtare, duke sjellë modele të mira dhe duke lehtësuar një proces gjithëpërfshirës konsultimi me aktorët qendrorë, vendorë dhe rajonalë.
Ngritja e Akademisë për Qeverisjen Vendore synon të modernizojë dhe forcojë kapacitetet e të zgjedhurve vendorë dhe administratës vendore, duke rritur cilësinë e shërbimeve publike dhe duke kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm të komuniteteve tona. Shoqata Kombëtare e Bashkive mbetet e angazhuar për të mbështetur këtë proces, në bashkëpunim të ngushtë me Qeverinë, bashkitë dhe të gjithë partnerët, në funksion të një qeverisjeje vendore më efikase, transparente dhe në përputhje me standardet evropiane.





