Projekti: SAFE TOGETHER ALBANIA – Women Alliances Leading the Way in Survivor Protection

Shoqata Kombëtare e Bashkive (SHKBSh), në partneritet me EDM, Strehëza Edlira Haxhiymeri (SEH), Bashkinë Durrës dhe Bashkinë Shkodër, ka nisur zbatimin e projektit “SAFE TOGETHER ALBANIA: Women Alliances Leading the Way in Survivor Protection”, financuar nga Programi CERV i Bashkimit Europian. Projekti do të zbatohet gjatë periudhës 2026–2028.

Synimi i projektit

Projekti synon të ndërtojë një model të integruar, të qëndrueshëm dhe të koordinuar të mbrojtjes për gratë dhe vajzat e mbijetuara të dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje, duke forcuar bashkëpunimin ndërmjet bashkive, institucioneve publike, organizatave të shoqërisë civile dhe komunitetit. Përmes këtij partneriteti synohet përmirësimi i cilësisë, aksesueshmërisë dhe efektivitetit të shërbimeve në nivel vendor, në përputhje me standardet kombëtare dhe europiane për mbrojtjen e viktimave.

Në kuadër të projektit do të krijohen dy Safe Together Hubs në Bashkinë Shkodër dhe Bashkinë Durrës, të cilat do të shërbejnë si qendra të integruara për koordinimin dhe ofrimin e shërbimeve mbështetëse për të mbijetuarat e dhunës. Paralelisht, projekti do të forcojë mekanizmat e referimit dhe koordinimit ndërinstitucional, do të rrisë kapacitetet e aktorëve vendorë dhe do të mbështesë hartimin e politikave dhe buxheteve vendore që garantojnë shërbime cilësore, të koordinuara dhe të qëndrueshme, duke kontribuar në mbrojtjen, riintegrimin social dhe fuqizimin e grave dhe vajzave të mbijetuara të dhunës.

Komponentët kryesorë të projektit

Projekti parashikon zbatimin e një sërë aktivitetesh strategjike, ndër të cilat:

  • Hartimi i analizave të boshllëqeve të shërbimeve për mbrojtjen e të mbijetuarave në Bashkinë Durrës dhe Bashkinë Shkodër;
  • Krijimi dhe funksionalizimi i dy Safe Together Hubs;
  • Zhvillimi i protokolleve të standardizuara për vlerësimin e riskut dhe sigurinë e të mbijetuarave;
  • Trajnimi i ekipeve multidisiplinare të bashkive dhe institucioneve partnere;
  • Fuqizimi i Aleancave të Grave Këshilltare për monitorimin e shërbimeve dhe advokimin në nivel vendor;
  • Zhvillimi i fushatës kombëtare “Safe Together” për ndërgjegjësimin e publikut dhe promovimin e raportimit etik mbi dhunën me bazë gjinore;
  • Organizimi i dialogjeve të politikave, hartimi i rekomandimeve dhe zhvillimi i një pakete propozimesh për përmirësimin e politikave dhe buxheteve vendore në mbështetje të të mbijetuarave.

Nëpërmjet këtij projekti, Shoqata Kombëtare e Bashkive riafirmon angazhimin e saj për të mbështetur bashkitë shqiptare në zhvillimin e mekanizmave vendorë të mbrojtjes dhe ofrimin e shërbimeve më gjithëpërfshirëse, më të koordinuara dhe më të qëndrueshme për qytetarët, duke kontribuar njëkohësisht në forcimin e qeverisjes vendore në përputhje me standardet dhe vlerat europiane.

keyboard_arrow_up