Integrimi evropian kalon edhe nga bashkitë: SHKBSH dhe KEDE forcojnë partneritetin për qeverisjen vendore

Shoqata Kombëtare e Bashkive të Shqipërisë (SHKBSH/NAMA) zhvilloi një takim zyrtar me Bashkimin Qendror të Bashkive të Greqisë (KEDE), duke konfirmuar angazhimin e përbashkët për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy organizatave dhe mbështetjen e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë përmes fuqizimit të qeverisjes vendore.

Takimi u zhvillua në Athinë dhe mblodhi drejtues të dy shoqatave për të diskutuar mbi prioritetet e përbashkëta në fushën e decentralizimit, përfaqësimit të interesave të bashkive, shkëmbimit të praktikave më të mira dhe forcimit të kapaciteteve institucionale të pushtetit vendor.

Delegacioni i SHKBSH u kryesua nga Nënkryetari i SHKBSH dhe Kryetari i Bashkisë Dropull, z. Dhimitraq Toli, dhe përbëhej nga Kryetari i Bashkisë Gjirokastër dhe anëtari i Komitetit të Përbashkët Konsultativ BE–Shqipëri (JCC), z. Flamur Golemi, Drejtoresha Ekzekutive e SHKBSH, znj. Adelina Farrici, si dhe përfaqësues të Rrjetit të Shoqatave të Autoriteteve Vendore në Evropën Juglindore (NALAS).

Nga pala greke morën pjesë Presidenti i KEDE, z. Lazaros Kyrizoglou, Sekretari i Përgjithshëm i KEDE dhe anëtari i Komitetit të Përbashkët Konsultativ për Shqipërinë, z. Dimitris Kafantaris, Kryetari i Bashkisë Agia, z. Antonios Goudaras, si dhe përfaqësues të tjerë të KEDE.

Diskutimet u fokusuan në rolin që shoqatat kombëtare të bashkive kanë në mbështetjen e reformave të decentralizimit, fuqizimin e institucioneve vendore dhe përgatitjen e bashkive për procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Palët ndanë përvoja mbi funksionimin e organizatave të tyre, dialogun me qeverinë qendrore, zhvillimin e kapaciteteve dhe përfaqësimin e interesave të pushtetit vendor në proceset e politikëbërjes.

Një rëndësi e veçantë iu kushtua rolit të qeverisjes vendore në procesin e integrimit evropian, duke theksuar se zbatimi i acquis të BE-së dhe përmbushja e standardeve evropiane kërkojnë institucione vendore të forta, bashki me kapacitete të zhvilluara dhe partneritete të qëndrueshme ndërkombëtare.

Takimi konfirmoi gatishmërinë e SHKBSH dhe KEDE për të thelluar bashkëpunimin përmes shkëmbimit të ekspertizës, organizimit të aktiviteteve të përbashkëta, mbështetjes së proceseve të zhvillimit institucional dhe promovimit të diplomacisë së qeverisjes vendore si një instrument i rëndësishëm në afrimin e Shqipërisë me Bashkimin Evropian.

“Integrimi evropian nuk është vetëm një proces i institucioneve qendrore; ai ndërtohet çdo ditë edhe në nivel vendor. Bashkitë janë aktorë kyç në zbatimin e reformave, ofrimin e shërbimeve cilësore dhe afrimin e standardeve evropiane me qytetarët. Bashkëpunimi me KEDE përfaqëson një mundësi të rëndësishme për të shkëmbyer ekspertizë, për të ndërtuar kapacitete dhe për të forcuar rolin e qeverisjes vendore në rrugëtimin evropian të Shqipërisë,” u shpreh Drejtoresha Ekzekutive e SHKBSH, znj. Adelina Farrici.

Ky takim shënon një hap të rëndësishëm drejt konsolidimit të partneritetit ndërmjet SHKBSH dhe KEDE, duke krijuar baza të reja për bashkëpunim afatgjatë në funksion të zhvillimit të qeverisjes vendore dhe përmbushjes së objektivave të përbashkëta evropiane.

Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të projektit “Fuqizimi i Shoqatës Kombëtare të Bashkive”, financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Ambasada e Zvicrës në Shqipëri, me mbështetjen e Rrjetit të Shoqatave të Autoriteteve Vendore në Evropën Juglindore (NALAS).

keyboard_arrow_up