Delegacioni i Kryetarëve të Bashkive Shqiptare i përbërë nga znj. Emiriana Sako, Kryetare e Bashkisë së Durrësit, Znj. Majlinda Bufi, Kryetare e Bashkisë Roskovec, znj. Majlinda Cara, Kryetare e Bashkisë Kurbin, znj. Juliana Memaj, Kryetare e Bashkise Dimal, z. Kastriot Gurra dhe znj. Adelina Farrici, Drejtore Ekzekutive e SHKB u mirëpritën sot nga kolegët e Bashkisë së West Hartford, Connecticut në një aktivitet shkëmbimi eksperiencash të organizuar nga Shoqata Kombetare e Bashkive te Shqiperise.
Në kuadër të reformës territoriale dhe procesit të decentralizimit si një procesi i kalimit të një sërë kompetencash të qeverisjes nga pushteti qendror në atë lokal ka lindur nevoja për shkëmbimin eksperiencash të praktikave të mira me homologët e pushtetit vendor si një domosdoshmëri për përmirësimin e shërbimeve dhe performancës së bashkive.
Gjatë aktivitetit delegacioni shqiptar pati kënaqësinë të takohej me Kryetaren e Bashkisë znj. Shari Cantor dhe Nënkryetarin z. Rick Ledwith, znj. Irene Garneau, Drejtor i Departamentit të Arsimit në Edukimin Parashkollor, z. John Phillips, Drejtor i Punëve Publike dhe znj. Katherine Bruns, Koordinatore e Riciklimit.
Axhenda eventit u përpilua për të trajtuar kryesisht temat e mëposhtme:
– Edukimi parashkollor ku pikat kryesore të diskutimeve u fokusuan në:
• Metodat e përmirësimit të cilësisë së sektorit nëpërmjet forcimit të kapaciteteve dhe burimeve financiare,
• Zhvillimi i mekanizmave efikas të planifikimit si kurrikulat dhe
• Përmirësimi i monitorimit dhe llogaridhënies financiare.
– Shërbimet e Menaxhimit të Mbetjeve ku diskutimi u zhvendos drejt:
• Rritjes së cilësisë dhe përmirësimi i shërbimeve publike të ofruara nga pushteti vendor, bazuar në standardet ndërkombëtare dhe metodat inovative.
• Nevojës për efikasitet për menaxhimin profesional, inxhinierinë, mirëmbajtjen dhe kontrollin e sektorit.
• Si duhet të sigurohet sektori menaxhues nga ndërmarrjet private apo publike dhe përgjegjësitë e përbashkëta?
• Si të zhvillohen aktivitetet lokale të riciklimit dhe kompostimit për:
a. Integrimin e politikave dhe nxitje e aktiviteteve të kompostimit dhe riciklimit në nivel lokal.
b. Angazhimin e komunitetit lokal.
– Politikat e Zhvillimit Ekonomik Lokal për të cilat temat kryesore të diskutimit ishin:
• Hartimi i planeve dhe programeve strategjike zhvillimore për zhvillimin ekonomik lokal.
• Krijimi dhe funksionimi i tregjeve publike dhe rrjeteve tregtare.
• Mbështetje për zhvillimin e biznesit, nëpërmjet aktiviteteve nxitëse.
• Organizimi i shërbimeve në mbështetje të zhvillimit ekonomik lokal, si informacioni për bizneset, aktivitetet promovuese, vënien në dispozicion të aseteve publike, etj.
• Dhënia e granteve financiare për të mbështetur aktivitetet e biznesit të vogël dhe të mesëm, duke garantuar akses të balancuar gjinor.
• Stimujt që u ndërmorën në fushën inovative drejt konceptit të qyteteve inteligjente.
Kulmi i kësaj eksperience shkëmbimi ishte vizita në terren në shkollën Charter Oak dhe në Departamentin e Punëve Publike për të prekur më nga afër shembullin e praktikave të mira.
Shoqata Kombetare e Bashkive te Shqiperise synon të pasurojë portofolin e aktiviteteve të shkëmbimit të eksperiencave me përfaqësuesit e pushteteve lokale homologe në mbështetje të Pushtetit Vendor ne Shqipëri duke organizuar vizita të tilla shumë frytdhënëse në vazhdimësi.





