“Mbështetje për fuqizimin e Shoqatës Kombëtare të Bashkive”, ja çfarë synohet të arrihet me këtë projekt

Projekti “Mbështetje për fuqizimin e Shoqatës Kombëtare të Bashkive”

Prej shkurtit 2026, Shoqata Kombëtare e Bashkive (ShKBSh) ka nisur zbatimin e Projektit “Mbështetje për fuqizimin e Shoqatës Kombëtare të Bashkive” me mbështetjen e NALAS dhe me financimin e Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim si pjesë e mbështetjes disa vjeçare për unifikimin e zërit të bashkive në një Shoqatë të konsoliduar Kombëtare të Bashkive.  Projekti do të zbatohet deri në shtator 2026.

Projekti synon të forcojë rolin përfaqësues, advokues dhe zgjerimin e shërbimeve për anëtarësinë e Shoqatës duke i shërbyer Vizionit 2030 të ShKBSh për një qeverisje vendore efikase dhe efiçente.  Duke u bazuar në konsolidimin e bazës së anëtarësisë së ShKBSh dhe organizimin e funksionimin e brendshëm, ky projekt përqendrohet në forcimin e kapaciteteve institucionale dhe operacionale të Shoqatës si dhe forumeve të saj tematike.

Komponentët kryesorë janë:

Mbështetje e procesit të decentralizimit

Nisur nga Marrëveshjet e Bashkëpunimit për decentralizim në sektorët e bujqësisë, shëndetësisë dhe arsimit mes ministrive përkatëse dhe bashkive të Shkodrës, Beratit, Divjakës dhe Kolonjës, Shoqata do të mbështesë dialogun me qeverinë qendore, analizën e problemeve dhe identifikimin e hapësirave për decentralizim të mëtejshëm nisur nga këto modele pilot të bashkëpunimit.  Do të hartohen dokumente politikash për secilin nga sektorët, duke siguruar që përvojat dhe sfidat e bashkive të informojnë drejtpërdrejt reformat në nivel kombëtar.

Mbështetje për Forumet Teknike

Forumet tematike do të mbështeten për të identifikuar prioritetet e përbashkëta të bashkive në të gjithë vendin, me vëmendje të veçantë ndaj bashkive më të vogla. Këto prioritete do të përkthehen në plane pune afatmesme për disa prej forumeve.  Gjatë projektit do të punohet me:

  • Forumin e Financave Vendore, për rishikimin e formulës së granteve të pakushtëzuara, grantet për investimet kapitale dhe huamarrja vendore.
  • Forumin e Lëvizshmërisë Urbane,Energjisë dhe Klimës, për parakushtet që duhen përmbushur për t’u mundësuar bashkive të përgatisin Plane Bashkiake mbi Përshtatshmërinë ndaj Ndryshimeve Klimatike nisur nga viti 2027.
  • Forumin e Burimeve Njerëzore, për zhvillimin organizativ të bashkive, duke përfshirë drejtimin administrativ, institucionet e varësisë, numri i punonjësve në varësi të shërbimeve etj.
  • Forumin e Planifikimit Urban, për rivitalizimin e aseteve të braktisura ose që nuk përdoren për një kohë të gjatë.

Mbështetje për demokracinë lokale

Forumi Kombëtar për Demokraci Lokale si një nga platformat kryesore për dialog bashkon kryetarë bashkish, zyrtarë të qeverisë qendrore, anëtarë të Parlamentit, partnerë ndërkombëtarë etj, për të adresuar sfidat dhe mundësitë me të cilat përballen bashkitë shqiptare. Edicioni i këtij viti do të trajtojë temat e Integrimit Europian, Reformës Administrative dhe Decentralizimit.

Bashkëpunimi Ndërbashkiak

Projekti do të angazhohet në gjetjen e praktikave të mira të bashkëpunimit ndërbashkiak, me fokus përfitimin nga fonde të Bashkimit Europian.  Shoqata do të mbështesë replikimin e një praktike të mirë në bashki të interesuara.

keyboard_arrow_up