Shoqata Kombëtare e Bashkive të Shqipërisë (ShKBSh) ka nisur zbatimin e projektit “Fuqizimi i Bashkive për Grante Transparente për OShC-të”, një iniciativë e rëndësishme që synon të forcojë kapacitetet e pushtetit vendor në menaxhimin transparent dhe gjithëpërfshirës të fondeve për organizatat e shoqërisë civile (OShC).
Ky projekt është i mbështetur nga UNDP Shqipëri në kuadër të Programit ReLOaD3, i financuar nga Bashkimi Evropian. Ai do të ketë një kohëzgjatje prej 34 muajsh, duke ofruar mbështetje të vazhdueshme për bashkitë partnere në përmirësimin e praktikave të financimit dhe ofrimin e shërbimeve më cilësore për qytetarët.
Në fokus të projektit është:
• forcimi i transparencës dhe llogaridhënies në shpërndarjen e granteve për OShC-të;
• zbatimi praktik i metodologjisë së Demokracisë Vendore (LOD);
• ndërtimi i partneriteteve të qëndrueshme ndërmjet bashkive dhe shoqërisë civile.
Në kuadër të kësaj nisme, ShKBSh do të trajnojë dhe asistojë profesionalisht 6 bashki partnere: Bulqizë, Kurbin, Vorë, Has, Gjirokastër dhe Tepelenë, duke i mbështetur në:
• menaxhimin konkurrues dhe gjithëpërfshirës të skemave të granteve;
• rritjen e kapaciteteve administrative dhe teknike;
• forcimin e dialogut dhe bashkëpunimit me komunitetin civil.
Takimi i parë i projektit shënoi nisjen zyrtare të zbatimit të tij dhe shërbeu si një platformë për prezantimin e objektivave dhe aktiviteteve kryesore. Një moment i rëndësishëm i këtij aktiviteti ishte nënshkrimi i Marrëveshjeve të Mirëkuptimit (MoU) ndërmjet ShKBSh dhe bashkive partnere, duke formalizuar bashkëpunimin institucional për zbatimin e projektit.
Ky projekt përbën një hap të rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit mes pushtetit vendor dhe shoqërisë civile. Në fazat pasuese, veçanërisht gjatë vitit të tretë, përvoja dhe praktikat e mira të zhvilluara do të shtrihen edhe në bashki të tjera që nuk kanë qenë pjesë e mëparshme e programit ReLOaD.





