SHKBSH në Shkup: Avancimi i Rolit të Qeverisjes Vendore në Axhendën e Reformave në Ballkanin Perëndimor

Shoqata Kombëtare e Bashkive të Shqipërisë (SHKBSh) mori pjesë aktive në Workshop-in Rajonal të LORAI Dashboard, i cili u zhvillua më 16 dhe 17 korrik në Shkup. Ky aktivitet u organizua nga NALAS (Rrjeti i Shoqatave të Autoriteteve Lokale të Evropës Juglindore) në kuadër të projektit LORAI – Observatori Lokal për Implementimin e Axhendës së Reformës në Ballkanin Perëndimor.

LORAI është një program i përbashkët strategjik i Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës, i cili zbatohet nga Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës në partneritet me NALAS, CEMR dhe shtatë shoqata anëtare të NALAS. Synimi kryesor i këtij observatori është vlerësimi dhe forcimi i rolit të qeverisjes vendore në proceset e zbatimit dhe monitorimit të Axhendave të Reformave brenda proceseve të integrimit evropian.

Gjatë ditës së parë të punimeve, u prezantuan gjetjet e studimit bazë mbi gjendjen aktuale të përfshirjes së njësive të qeverisjes vendore (NJQV) në reformat rajonale. Diskutimet reflektuan një nevojë emergjente: megjithëse vendet e rajonit janë në nivele të ndryshme gatishmërie, qeverisja vendore në Ballkanin Perëndimor ende gëzon një rol të kufizuar në shumicën e fushave të Axhendës së Reformave. Bashkitë vijojnë të perceptohen kryesisht si zbatuese të vendimeve të nivelit qendror, shpesh pa kapacitetet e duhur financiare apo teknike dhe pa u përfshirë në proceset vendimmarrëse.

Shoqata Kombëtare e Bashkive të Shqipërisë, si përfaqësuese e interesave të NJQV-ve në këtë forum, theksoi se ky proces është një mundësi mjaft e mirë për të përcjellë zërin dhe përvojën e bashkive shqiptare. SHKBSh promovoi nevojën për një qasje më të koordinuar dhe të mirëfinancuar, duke kërkuar që qeverisja vendore të njihet si një partner strategjik në reformat që prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve.

Dita e dytë e workshop-it u fokusua në dimensionin e monitorimit përmes avancimit të platformës rajonale LORAI Dashboard. Pjesëmarrësit punuan mbi identifikimin e indikatorëve më relevantë për pushtetin vendor, të cilët do të shërbejnë si mjete matëse për progresin e reformave në të ardhmen.

Përmes këtij angazhimi, Shoqata Kombëtare e Bashkive të Shqipërisë rikonfirmon vullnetin e saj për të mbështetur transformimin institucional dhe rritjen e llogaridhënies së qeverisjes lokale, si një kusht i pazëvendësueshëm për rrugëtimin evropian të vendit.

keyboard_arrow_up