🇦🇱 Tirana mirëpriti këtë javë sesionin e 17-të plenar të ARLEM-it, një platformë e rëndësishme për forcimin e bashkëpunimit euro-mesdhetar!
Së bashku me znj. Majlinda Bufi, Kryetare e Bashkia Roskovec, patëm kënaqësinë të mirëprisnim në Tiranë përfaqësues të autoriteteve vendore dhe rajonale nga Evropa dhe Mesdheu, në kuadër të Asamblesë Rajonale dhe Lokale Euro-Mesdhetare (ARLEM).
🌍 ARLEM përfaqëson një hapësirë të rëndësishme dialogu dhe bashkëpunimi ndërmjet autoriteteve vendore dhe rajonale të dy brigjeve të Mesdheut. Përmes kësaj platforme, nxitet shkëmbimi i përvojave, krijimi i partneriteteve dhe identifikimi i zgjidhjeve të përbashkëta për sfidat e zhvillimit lokal.
Sesioni i këtij viti u përqendrua në mundësitë konkrete për përfshirjen e qeverisjes vendore në zbatimin e Paktit për Mesdheun, me fokus te barazia gjinore, menaxhimi i ujit, ndryshimet klimatike, mbrojtja civile dhe zhvillimi ekonomik i qëndrueshëm.
Në fjalën e saj të mirëseardhjes, znj. Adelina Farrici, Drejtore Ekzekutive e Shoqatës Kombëtare të Bashkive të Shqipërisë, theksoi rolin kyç të bashkive në kthimin e objektivave të përbashkëta në rezultate konkrete për qytetarët, si dhe rëndësinë e forcimit të kapaciteteve institucionale dhe financiare, bashkëpunimit ndërbashkiak dhe partneriteteve ndërkombëtare.
🤝 Për Shoqatën Kombëtare të Bashkive të Shqipërisë, ARLEM përbën një mundësi të rëndësishme për të forcuar përfaqësimin e bashkive shqiptare në arenën euro-mesdhetare, për të zgjeruar rrjetet e bashkëpunimit dhe për të krijuar mundësi të reja për shkëmbimin e përvojave dhe zhvillimin e nismave të përbashkëta.
Një qeverisje vendore më e fortë, partneritete të qëndrueshme dhe bashkëpunim përtej kufijve janë thelbësore për zhvillimin e komuniteteve tona dhe për një të ardhme më të mirë për qytetarët.
#ARLEM #SHKBSH #QeverisjaVendore #BashkëpunimEuroMesdhetar #BashkitëShqiptare #IntegrimiEvropian





