SHKBSH zhvillon takimin e radhës të Forumit të Arsimit Parauniversitar, synohet përmirësimi i kuadrit ligjor dhe rritja e cilësisë së shërbimeve arsimore
Shoqata Kombëtare e Bashkive të Shqipërisë (SHKBSH) zhvilloi takimin e radhës të Forumit të Arsimit Parauniversitar.
Dita e parë e takimit iu kushtua diskutimeve strategjike mbi përmirësimin e arsimit parashkollor, me fokus në standardet, cilësinë dhe qasjen e barabartë në nivel vendor.
Takimi u zhvillua me përfaqësimin e drejtuesve të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, si dhe drejtuesve dhe ekipit të projektit Bashki të Forta (BtF), të cilët kontribuuan në diskutime dhe në procesin e validimit të Anketës Kombëtare për Arsimin Parashkollor 2025 dhe dokumentin e politikave.
Anketa Kombëtare për Arsimin Parashkollor synon:
vlerësimin e nivelit të përputhshmërisë së bashkive me standardet kombëtare dhe kuadrin ligjor
ofrimin e një pasqyre të qartë mbi burimet, stafin, infrastrukturën dhe pajisjet në arsimin parashkollor
Gjatë takimit u prezantua edhe dokumenti i politikave për arsimin parashkollor, i cili analizon:
arritjet e decentralizimit
sfidat në financim, kapacitete dhe barazi territoriale si dhe
rëndësinë e ndarjes së përgjegjësive mes pushtetit qendror dhe lokal
Dokumenti përmban rekomandime të bazuara në evidencë, me synim përmirësimin e kuadrit ligjor dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve arsimore parashkollore në nivel vendor.
Ky aktivitet u mbështet nga projekti Bashki të Forta, i financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Ambasada e Zvicrës në Shqipëri dhe Ambasada e Suedisë në Tiranë, dhe zbatohet nga Helvetas.